Secondary Adv

Korsi per autobuset dhe rehabilitimi i stacioneve ne Tirane, lidhet kontrata

Projekti për ndërhyrjen në disa rrugë në Tiranë për të mundësuar korsi të dedikuar për autobusët si dhe rehabilitimin e disa stacioneve ka tashmë një kontratë të finalizuar.

 

Bashkia e Tiranës njoftoi në sistemin e prokurimeve se procedura që ka këtë objekt është fituar nga kompania “Liqeni VII” për një vlerë 95.2 milionë lekë me TVSH dhe punimet do të kryhen në harkun kohor të 9 muajve.

 

Referuar dokumenteve të bëra publikë në fazën e parë të prokurimit parashikohen ndërhyrje në disa segmente. Kështu projekt zbatimi i korsive të dedikuara për autobus përfshin rrugët:

 

– Unaza e mesme (nga kryqëzimi i “Brrylit” deri te ura “Vasil Shanto” në të dyja anët e lumit “Lana”).

– E “Kavajës” (segmenti nga sheshi “Mustafa Qemal Ataturku” – kryqëzimi me “Ibrahim Rugova”)

– “Muhamet Gjollesha” (segmenti nga ura “Vasil Shanto” – sheshi “Karl Topia”)” thuhet në dokument.

 

Të njëjtat dokumente parashikojnë edhe rehabilitim të stacioneve ku përfshihen 3 korridoret e linjave të transportit publik qytetës si dhe zonën përreth qendrës ku dhe përqendrimi i udhëtarëve dhe kërkesa për transit është më e madhe:

– Linja “Kinostudio Kombinat”

– Linja “Tirana e Re”

– Linja “Unaza,

 

“Rrugët janë kryesisht në gjendje të mirë. Ka dëmtime të riparueshme në pjesën e asfaltit në disa segmente ku aktualisht janë vend parkime për automjete.

 

Sipas detyrës së projektimit rrjeti i kanalizimeve te ujërave dhe bardha dhe te zeza është funksional dhe ne gjendje te mire.

 

Në stacionet e urbaneve mungojnë tabelat informuese për qytetarët. Në mungesë të një korsie të dedikuar autobusëve kemi vonesa në frekuencën e tyre, trafik, tejmbushje e tyre.

 

Gjithashtu është i nevojshëm rehabilitim i kurorave të gjelbërta përgjatë segmenteve të projektit, vend grumbullim të mbetjeve urbane dhe elementit ndarës/mbrojtës të kësaj korsie të përshtatshme për evitimin e “kërcimit të gomave” nënvizonte dokumenti.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/lidhet-kontrata-per-projektin-e-korsive-te-autobuseve-dhe-rehabilitimin-e-stacioneve-tirane/


Më të lexuarat